Programet e organizatės


Programet e organizatës përmes së cilave organizata synon të arrijë misionin e saj janë:

A)    Demokratizimi i shoqërisë duke monitoruar/ avokuar institucionet qeverisëse,
B)    Edukimi jo formal i qytetarëve e në veçanti edukimi i të rinjve në fushën e krijimit të vendeve të reja të punës,
C)    Fuqizimi i Shoqërisë Civile dhe Rrjetëzimi me organizata të ngjashme me qëllim të realizimit të projekteve që tangojnë misionin e organizatës,
D)    Bashkëpunimi ndërkufitar dhe ndërkombëtar.

A)    Demokratizimi i shoqërisë duke monitoruar/ avokuar institucionet qeverisëse

Organizata angazhohet për ndryshimin e kulturës politike të shoqërisë kosovare, përmes ndryshimit të qasjes së qytetarit ndaj autoritetit shtetëror respektivisht ndaj institucioneve qeverisëse në nivel lokal dhe qendror. Ky transformim mund të arrihet përmes fuqizimit të rolit të qytetarëve në procese vendimmarrëse. Konkretisht, organizata angazhohet për krijimin dhe avancimin e mekanizmave ligjorë të pjesëmarrjes, rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës institucionale në vendimmarrje dhe tejkalimin e barrierave psikologjike të shoqërisë në raport me autoritetet shtetërore.

Niveli lokal (Gjilan) dhe rajonal (Rajoni i Anamoravës – Kosova Lindore) e me pak qendror i angazhimit për qytetari aktive, i jep organizatës një përparësi të theksuar veprimi, dhe rrjedhimisht mundësi më të mëdha në arritjen e rezultateve dhe ndryshimeve konkrete.

Komponentët kyçe të këtij programi janë konsultimet publike, standardet ligjore dhe institucionale, buxhetimi me pjesëmarrje, transparenca komunale dhe aktivizmi qytetar.

Organizata ka përcaktuar strategjinë e veprimit të saj në pjesëmarrjen qytetare dhe kjo kryesisht bazohet në këto komponentë:

•    Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e konsultimeve publike, •    Rritja e nivelit të transparencës komunale në raport me vendimmarrjen dhe implementimin e politikave dhe •    Miratimi i të gjitha akteve ligjore rreth pjesëmarrjes qytetare nga Kuvendet Komunale në Rajonin e Anamoravës.
Gjatë kësaj periudhe, paralelisht me implementimin e projekteve, organizata do të angazhohet në këto aktivitete apo të ngjashme:

•    Ofrimin e asistencës teknike grupeve qytetare (të interesit) për shfrytëzimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë në nivelin lokal •    Fuqizimin e organizatave jo-qeveritare në pjesët rurale të komunave të Rajonit të Anamoravës •    Publikimin e raporteve vlerësuese, monitoruese, analitike dhe hulumtuese mbi çështje të ndryshme të qeverisjes lokale, me theks në pjesëmarrjen qytetare, etj.

B)    Edukimi jo formal i qytetarëve e në veçanti edukimi i të rinjve në fushën e krijimit të vendeve të reja të punës

Organizata angazhohet që të jetë pjesë e proceseve shoqërore që iu ofrojnë mundësi qytetarëve, me fokus të veçantë te mosha e re, të jenë më afër tregut të punës. Për këtë, organizata ka implementuar një numër të konsiderueshëm të projekteve trajnuese përmes së cilave ka ngritur kapacitetet e të rinjve për të qenë më konkurrues në tregun e punës.

Vlen të përmendet këtu projekti tre vjeçar “Support to Kosovo Young Leaders (SKYL)” i financuar nga Mercy Corps/ USAID përmes së cilit mbi 1000 të rinj kanë ndjekur trajnime në fushën:

•    E negocimit,
•    Të shkathtësive për punë dhe
•    Aktivizmit Qytetar.

Pastaj, të njëjtit, përmes një praktike tre-mujore nëpër biznese dhe institucione kanë arritur që t’i ofrohen tregut të punës. Sipas vlerësimeve tona, mbi 330 të rinj nga 1000 sa ishin përfitues të këtij projekti, kanë arritur të punësohen.

Po ashtu, e rëndësishme është edhe kyçja e organizatës, si partnere e GIZ, në implementimin e projektit “Capacity Development for Basic Education (CDBE)” ku, si organizatë trajnuese ka realizuar një seri të trajnimeve në fushat:

•    Trajnim për mësimdhënës në fushën e matematikës, niveli 1-5 dhe 6-9,
•    Trajnim për mësimdhënës në fushën e shkencave të natyrës, niveli 1-5 dhe
•    Trajnim për të interesuarit në fushën e Menaxhimit në Arsim.
Gjithashtu, përmes një mori projektesh, organizata ka realizuar edhe trajnime në fushën e:
•    Përgatitjes së projekt propozimeve,
•    Menaxhimit të projektit dhe
•    Menaxhimit të organizatës.

C)    Fuqizimi i Shoqërisë Civile dhe Rrjetëzimi me organizata të ngjashme me qëllim të realizimit të projekteve që tangojnë misionin e organizatës

Organizata deri më tani ka realizuar një numër të konsiderueshëm të projekteve si partnere implementuese të organizatave të ndryshme nga Kosova dhe ndërkombëtare.

Me rendësi janë projektet e Monitorimit te Zgjedhjeve ne Kosove (në vitin 2007, 2009, 2010, 2013 dhe 2014) në kuadër të Koalicionit të OJQ-ve Kosovare “Demokracia në Veprim”, pjesë e së cilës jemi ne që nga fillimi i punës (viti 2007).

Po ashtu, projektet e përmendura në pjesën B) janë pjesë e angazhimeve të organizatës në fushën e Fuqizimit te Shoqërisë Civile.

Vlen të përmendet edhe projekti “Rritja e transparencës në nivelin lokal të Komunës së Gjilanit përmes shfrytëzimit te Medieve Sociale” i cili është implementuar në partneritet me OJQ “Ec ma Ndryshe”.

D)    Bashkëpunimi ndërkufitar dhe ndërkombëtar

Ky program është pjesë e angazhimeve të organizatës që nga fillimi i angazhimeve të saj.
Në kuadër të kësaj, fokus i organizatës kanë qenë angazhimet për projekte te përbashkëta me organizata të Shoqërisë Civile në zonën kufitare Kosovë – Serbi dhe Kosovë – Maqedoni. Në këtë mënyrë, deri më tani kemi implementur pesë projekte bashkëpunimi ndërkufitar dhe në të njëjtën kohë, me organizatat partnere nga ana tjetër e kufirit kemi aplikuar me projekte partneriteti.

Organizatat me të cilat kemi pasur bashkëpunim në këtë periudhë janë OJQ “Generator” dhe “ABC” nga Vranja, OJQ “Center for Community Development” nga Bujanoci, OJQ “Center for Intercultural Dialogue” nga Kumanova, OJQ “Center for Information and Culture” nga Shkupi, etj.

FOLLOW US ON SOCIAL MEDIA